Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.
Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.
I pyetur nëse njeh ndonjë nga ky grup kriminel, Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është deklaruar negativ.
Ai është shprehur se nuk e njeh as Zvonko Veselinoviçin e as një nga grupi i tij të cilët i sanksionoi SHBA, duke i bërë përgjegjës për trafikim të mallrave, të parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, Veselinovicin, Pacolli tregoi ta ketë takuar një herë në Budva, kur po kalonte pushimet verore.
“Dy vite më parë gjatë pushimeve në bregdetin e Adriatikut në Budva, mua më është ofruar një njeri, që shumë më vonë e kam kuptuar se ishte Zvonko Veselinoviç”, ka treguar Pacolli.
Për më tepër ai ka shtuar se bashkë me Veselinovicin në Budva ishin edhe disa deputet shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
“Ai atje ishte i shoqëruar me deputetë të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës. Unë vetëm i kam përshëndetur dhe aq. Unë nuk e njoh Veselinoviçin, as nuk e kam parë më vonë. As sot nuk e di cili prej tyre ishte Veselinoviçi”, deklaroi Pacolli në RTV 21.
“Thjeshta na ka rastisur që gjatë ankorimit të anijeve të takohemi. Ata vetëm se ishin aty kur unë shkova. E kemi njohur kryetarin e Mitrovicës së Veriut dhe jemi përshëndetur. Aty ishin edhe tre deputet të Kuvendit të Kosovës”.
Përvec Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.