Në vitin 2021, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, shkaktoi krizën më serioze politike që nga lufta e viteve 1992-95, kur tha se do ta tërheqë rajonin serb, të njohur si Republika Sërpska, nga institucionet shtetërore të Bosnjës: gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura.
Të tria këto përfaqësojnë shtyllat kryesore të shtetit, i cili pas luftës u nda në dy rajone autonome: Republika Sërpska dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.
Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, tha atëkohë se plani i Dodikut është i barasvlershëm me ndarje.
“Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale. Bosnja mund të përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial që nga paslufta, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për t’i ndaluar separatistët serbë”, tha Schmidt.
Edhe pse vazhdimisht përsëriti kërcënimet për ndarje, Dodik nuk bëri ndonjë hap në praktikë, duke thënë se do të presë për një moment më të përshtatshëm gjeopolitikisht.
Por, inteligjenca amerikane tha se ai, në fakt, po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska.
Në një raport të Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së, që u bë publik këtë javë, u tha se “udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.
“Veprimi i tij mund t’i shtyjë udhëheqësit e popullsisë boshnjake që t’i forcojnë kapacitetet në mbrojtje të interesave të veta, dhe të çojë ndoshta në konflikte të dhunshme, që mund t’i mposhtin forcat paqeruajtëse”, tha po ashtu inteligjenca amerikane.
Dodik, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të “aktiviteteve destabilizuese”, tha se Republika Sërpska “nuk planifikon ndarje apo rrezikim të paqes dhe stabilitetit”.
Në një postim në platformën X, pas publikimit të raportit të inteligjencës amerikane, Dodik tha se “Amerika do një vatër të re të nxehtë, në të cilën njëri prej presidentëve më të pasuksesshëm në historinë e Amerikës [Joe Biden] do të mund të fitonte ndonjë pikë, përpara zgjedhjeve”.
Ai tha, po ashtu, se “nuk do të lejojë të rrezikohet siguria e njerëzve”.
Por, sipas vëzhguesve, Perëndimi duhet të ketë “qasje më vigjilente” ndaj asaj që ndodh në Bosnje e Hercegovinë, sepse situata mund të dalë shpejt “jashtë kontrollit”.
Ata thonë se paralajmërimet për Dodikun nuk janë një gjë e re, por se vijnë në një moment të ri gjeopolitik – në njërën anë të botës lufta në Ukrainë, në anën tjetër lufta në Gazë.
Vesko Garçeviq, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit.
“Nëse diçka ndodh në Bosnje e Hercegovinë, nëse Dodik ndihet i inkurajuar për të organizuar referendum për pavarësi dhe për ta shpallur Republikën Sërpska shtet të pavarur, një gjë e tillë ka të ngjarë të çojë në një reaksion zinxhiror në rajon. Atëherë, mund të presim diçka të ngjashme, ose jostabilitet dhe përshkallëzim të situatës edhe në Kosovë”, tha ai për Radio Evropa e Lirë.
Dodik është aleat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022, Dodik ka takuar katër herë Putinin – herën e fundit muajin e kaluar.