Ka vdekur edhe personi i dytë i përfshirë në plagosjen e trefishtë që kishte ndodhur më 22 maj në qendër të qytetit të Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se viktima është i moshës 20-vjeçare.
“Për fat të keq ka vdekur edhe viktima e dytë e plagosjes së trefishtë që ka ndodhur më 22 maj në Pejë. Viktima është i vitit 2004, ku për këtë çështje, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që t’i bëhet obduksioni dhe pasi të pranojmë raportin e autopsisë, do të zhvillohet procesi hetimor për personin i cili është nën masën e paraburgimit”, tha Nikçi.
Si pasojë e plagosjes së trefishtë, ku të lënduar ishin babai me dy djemtë, deri më tani kanë vdekur dy persona, babai dhe njëri nga djemtë.
E gjithë ngjarja kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje për një veturë, ku i dyshuari me revole kishte plagosur tre persona.