Pas grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës, të gjitha opsionet janë në tavolinë thonë ShBa-ja

Pas grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës, të gjitha opsionet janë në tavolinë thonë ShBa-ja

 Të premten diplomatja më e lartë amerikane për çështjet evropiane Karen Donfried, tha se të gjitha opsionet janë në tavolinë për mënyrat e reagimit ndaj grumbullimit “të madh e të pazakontë” të trupave ruse afër kufirit të Ukrainës dhe NATO-ja do të vendosë në konsultimet e javës së ardhshme për hapat e tjerë.

“Siç mund të vlerësoni, të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe ekziston një pako veglash që përfshinë një varg të tërë opsionesh”, u tha gazetarëve asistentja e sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane e Euroaziatike, Karen Donfried.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është i shqetësuar për situatën në Ukrainë, e përsëriti përkrahjen e Uashingtonit për integritetin territorial të Ukrainës dhe shtoi se sipas të gjitha gjasave, do të bisedojë me homologët nga Ukraina e Rusia, Volodymyr Zelenskiy dhe Vladimir Putin, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Enigma.

Këto komente erdhën disa ditë para se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, të shkojë javën e ardhshme në Letoni e Suedi për të marrë pjesë në takimet e NATO-s e OSBE-së. Donfried tha se grumbullimi “i madh e i pazakontë” i trupave ruse do të jetë në krye të agjendës në samitin e NATO-s.

“Tani i përket aleancës (së NATO-s) që të vendosë për hapat e ardhshëm që NATO-ja dëshiron t’i bëjë. Javën e ardhshme, do të flasim për vlerësimin tonë për atë se çfarë është duke ndodhur në kufirin e Rusisë me Ukrainën dhe do ta fillojmë atë bisedë me atë se cilat janë opsionet që janë në tavolinë dhe çfarë do të donte NATO-ja si aleancë të bënte së bashku”, tha ajo.

Zyrtarët e NATO-s, Ukrainës dhe ShBA-së e kanë ngritur alarmin në javët e fundit për ato që thonë se janë lëvizje të pazakonta të trupave ruse më afër Ukrainës, duke sugjeruar se Moska mund të jetë duke organizuar një sulm ndaj vendit fqinj. Rusia i ka mohuar këto pretendime. /Gazeta Enigma/.

Related Articles