Mungesa e materialit për pasaporta e ka shtyrë qeverinë kosovare t’ia bëjë një kërkesë të çuditshme shtetit gjerman.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një letre, i ka kërkuar Berlinit zyrtar t’ua pranojë pasaportat me afat të skaduar kosovarëve që kanë leje qëndrimi në Gjermani.
Njësoj edhe për foshnjat e tyre, për të cilat prindërit kanë ardhë në Kosovë për t’u nxjerrë pasaporta.
Pas arsyetimeve se mungesa e materialit vjen si pasojë e pandemisë e më pas luftës në Ukrainë, Sveçla është lutur që ky lëshim të bëhet deri në qershor.
Kërkesën e qeverisë po e kritikon Partia Demokratike.
”Shumë po kam dëshirë me besu që nuk është e vërtetë. Në gjendje të jashtëzakonshme nuk jemi. As luftë e as pandemi nuk ka. Këtë punë e ka qeveria. Me mbledhë taksa dhe me ofru shërbime”, u shpreh nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku.
Ndërsa në Lidhjen Demokratike thonë se kjo do e dëmton imazhin e Kosovës para Gjermanisë.
”Do të ishte komike po të mos kishte pasoja në rëndimin e jetesës së qytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë, si dhe në dëmtimin e imazhit të shtetit tonë, letra e Ministrit të Brendshëm drejtuar shtetit gjerman. Përmes kësaj letre, ai i kërkon Gjermanisë që t’i lejojë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës të udhëtojnë me pasaportë të skaduar deri në qershor 2023. Është e pabesueshme që një qeveri e tërë të mos mund ta zgjidh një problem kaq bazik për gati gjysmë mandati. Shumë shtete kanë hasur në probleme me furnizim në shumë artikuj—përfshirë letrën që përdoret për shtypjen e pasaportave dhe dokumenteve tjera; mirëpo nuk kanë arritur në nivele të tilla paaftësie. Pra, nuk është problemi te pandemia, por te paaftësia. Përveç pengesave në udhëtim për shtetasit tanë, kjo papërgjegjësi dëmton rëndë imazhin e Kosovës në sytë e një shteti mik si Gjermania. Para se t’ia mësyjë anëtarësimit në BE, Qeveria e Kosovës duhet të zgjidh probleme të tilla bazike, të shkaktuara nga paaftësia e kësaj të fundit”, deklaroi mes tjerash Sibel Halimi.
Kurse njohësi i politikave evropiane, Emir Abrashi, nuk beson që kjo kërkesë miratohet.
“Gjermania është shtet burokratik dhe nuk e di si mund të lejojë t’i hyjnë qytetarë me pasaporta të skaduara. Vetë kërkesa është skandaloze”.
Ky thotë se qeveria duhet sa më shpejt t’i rregullojë këto probleme, që të mos jap këso imazhi ndërkombëtar.