Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook në lidhje me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Në reagimin e PDK-së thuhet se Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet”, thuhet tutje
Në njoftimin e kësaj partie tutje thuhet se rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
“Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh. Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin. Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës. PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet”, thuhet tutje.
