Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar për një rast të rëndë penal të ndodhur në fshatin Orrobërdë të Istogut.
Bëhet fjalë për Vezir Haziraj, rreth 28-vjeçar për të cilin Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sipas njoftimit të Policisë, Haziraj dyshohet se është i përfshirë në një rast të “vrasjes në tentativë”, i cili ka ndodhur më 7 gusht 2026 në fshatin Orrobërdë të Istogut, rast për të cilin gazeta Sinjali kishte raportuar ditë më parë.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari konsiderohet i armatosur, ndaj qytetarët këshillohen të mos ndërmarrin veprime vetë në rast se e vërejnë atë, por të kontaktojnë menjëherë autoritetet.
Çdo person që ka informacion për vendndodhjen e tij mund ta raportojë rastin në 192 ose në numrin pa pagesë 0800 19 999, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo adresës elektronike të Policisë.
Policia ka kërkuar nga qytetarët që çdo informacion relevant ta përcjellin tek autoritetet, në mënyrë që i dyshuari të lokalizohet dhe rasti të procedohet sipas ligjit.

