Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që ndarja e buxhetit shtesë për zgjedhje të bëhet me urgjencë, raporton Gazeta Enigma.
Ai ka thënë se janë pothuaj katër javë që nuk është buxheti shtesë për realizimin e operacioneve në zgjedhje.
“Po bëhen 4 javë që i keni dërgu kërkesë institucioneve për me nda një buxhet shtesë… Unë mendoj që ju do të duhej që në mbledhjen e radhës të vini me një raport shtesë sepse mosndarja e këtij buxheti nënkupton mosrealizimin e këtij operacioni (votimin nga jashtë). Duhet me na e pru një raport se çka do të ndodh me këtë operacion. Duheni me na tregu a do të mundemi me i tërheq fletëvotimet. Janë 3-4 çështje që janë me rëndësi të veçantë që i japin besueshmëri dhe integritet procesit zgjedhor”, ka thënë Gashi.
Besnik Buzhala nga Sekretariati i KQZ-së është përgjigjur se në mbledhjen e radhës do të japë përgjigje lidhur me kërkesën për buxhet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për çregjistrimin e partisë Lëvizja për Bashkim.