PDK në Drenas nuk e kandidon Ramiz Lladrovcin për kryetar të Komunës

PDK në Drenas nuk e kandidon Ramiz Lladrovcin për kryetar të Komunës

Ndonëse kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përsëritur disa herë se ai do të jetë sërish kandidat për kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të tetorit, kështu nuk ka menduar Dega e PDK-së në këtë Komunë, raporton Gazeta Enigma

Strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, kanë vendosur që Driton Ajazi të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë  vit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ajazi përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “sapo mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vit”

Postimi i Ajazit:

“Të nderuar anëtarë, struktura dhe simpatizantë të Degës së Partisë Demokraktike të Kosovës në Drenas!

Shumë të dashur qytetarë të komunës së Drenasit!

Sapo, mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vitë!

E vlerësojë jashtëzakonishtë shumë besimin e dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, që ti prijë këtij procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve të Drenasit dhe presë mbështetjen edhe të kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, që ta konfirmojë kandidaturën time!

Besimi i dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, për mua është përgjegjësi dhe privilegj dhe do të shërbejë si forcë inkurajuese, që angazhimi im politik të jetë në shërbim të qytetarëve të Drenasit!

Na priftë e mbara së bashku!”, ka shkruar Ajazaj.

Ndryshe, kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ditë më parë ka thënë se do të kandidojë sërish për të parin e këtij qyteti në zgjedhjet që priten të mbahen në shtator të këtij viti.

Ai  ka thënë se nuk ka asnjë dilemë rreth rikandidimit të tij për kryetar të Drenasit./Gazeta Enigma/

Related Articles