Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo vonesë sipas tyre “është dëshmi që ky proces i stërzgjatur ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në proces të ndikuar nga kalkulimet politike”.
“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.
LEXO EDHE: Edhe Specialja e konfirmon zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për katërshen e UÇK-së
PDK-ja tutje i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
“PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.
