Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka ngritur kallxim penal ndaj Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Kryetarit të Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Peci ka thënë se ata “deshën të konstruktojnë fabrikime duke tentuar t’i shtyejnë fermerët të deklarojnë se përkrahja e marrë në mënyrë meritore, nuk ishte e tillë, por e përfituar me anë të ryshfetit!”
“Kallxim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe të tjerëve! Sipas ekipit të ekspertëve tanë këta dhe LDK-ja konsumuan këto vepra penale si mashtrimi, shtytja në lajmërim apo kallëzim të rremë, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe shantazh!”, ka shkruar Peci.
Ngritja e kallëzimit penal vjen disa ditë pasi zyrtarët e LDK’së nxorën dokumente, përmes të cilave tregohej se Ministria e Bujqësisë u kishte dhënë grante vëllait dhe dajës së deputetes së VV’së, Fitore Pacollit, e cila është edhe Kryetare e Komisionit për Bujqësi.
Në kallëzimin penal që ka publikuar Peci shkruan se “i dyshuari Paris Guri si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar-organizuar, së bashku me disa persona të tjerë, me qëllim të dëmtimit të të dëmtuarve si në aspektin e imazhit politik dhe atij personal, me dashje shtytin personin (fermerin) e quajtur Hamdi Gashi si dhe fermerë të tjerë të cilët ishin përfitues të granteve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që të deklarojnë në publik dhe të bëjnë lajmërim të rremë tek organet e rendit në premtim të shpërblimit material, gjoja se ishin detyruar të ipnin ryshfet tek të dëmtuarit në mënyrë që të bëheshin përfitues të granteve, duke tentuar më pas edhe shantazhimin e të dëmtuarit dhe punonjësve të tjerë të MBRZH-SË”.