Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, në një konferencë të përbashkët me presidenten, Vjosa Osmani, tha se e mbështet dialogun Kosovë – Serbi, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas tij arritja e marrëveshjes finale midis dy vendeve do nënkuptonte stabilitet rajonal.
Ai dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, e cilësoi si proces të komplikuar, porse shteti i tij e mbështet marrëveshjen reciproke që do kontribuonte në stabilitetin rajonal.
Ndërkohë Pendarovski theksoi se në të ardhmen parashihet thellim i bashkëpunimit bilateral midis dy vendeve.
“Në politikën e jashtme kemi qëllime të përbashkëta, i mbështesim aspiratat euro-atlantike të Kosovës, si dhe aspiratat për anëtarësim në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në këto organizata, nënkupton stabilizim të sigurisë për gjithë vendin”, ka thënë ai.
Kurse, presidentja, Vjosa Osmani, vizitën e Pendarovskit e cilësoi si tejet të rëndësishme. Ajo njoftoi se në takimin e përbashkët u nënshkruan 40 marrëveshje midis dy vendeve.
“Është kënaqësi e veçantë që ta mirëpres presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vizitë kjo që është jashtëzakonisht e veçantë sepse për herë të parë një president i këtij fqinj e viziton Kosovën në vizitë zyrtare. Kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje, disa memorandume ndërministrore, si dhe disa nisma të tjera për bashkëpunime të tjera”, tha Osmani.
Tutje siç tha ajo “Shqiptarët e Maqedonisë janë urë lidhëse ndërmjet dy popujve tanë. Ata janë shtyllë e stabilitet por edhe shtyllë e shtyrjes përpara e zhvillimit euroatlantik të Maqedonisë”.
“Natyrisht që edhe kësaj radhe duhet ta theksoj që përkundër që Kosova ka plotësuar gjitha kushtet, BE-ja ende s’i ka dhënë vizat për kosovarët, e për këtë dua ta falënderoj presidentit Pendarovski që ka qenë zë i qartë, për liberalizimin e vizave të Kosovës si shtet fqinj, dhe po ashtu për përkrahjen që i japim njëri tjetrit për integrimin evropian në përgjithësi”, u shpreh presidentja Osmani. / Gazeta Enigma.