Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se darka joformale ka përfunduar.
Përmes një postimi në twitter, Lajçak ka postuar një fotografi ku shihen Kurti – Lajçak dhe Vuçiq, përmes së cilës tha ishte i është mirënjohës qeverisë gjermane për pritjen.
“E mirëpritëm mundësinë për një darkë joformale diskutimi rreth Dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi Lajcak.
Në vazhdën e takimeve, Olaf Scholz gjatë ditës së sotme ka zhvilluar bisedë me kryeministrin Albin Kurti.
Në këtë konferencë për media ka folur i pari kancelari gjerman Scholz i cili është shprehur se në takim ka pasur shumë tema, ndërsa në diskutim kanë qenë edhe çështjet klimatike dhe ato të energjisë.
Scholz gjithashtu është shprehur se përparimi duhet të ndodh në liberalizimin e vizave, për çka shprehet se qeveria federale angazhohet me BE-në dhe partnerët.
Nëpërmjet procesit të Berlinit, siç ka theksuar Scholz do të arrihen 4 marrëveshje që përfshijnë lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave.
“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale angazhohet me BE-në dhe partneret. Shumë e rëndësishme këtu është bashkëpunimi rajonal. Me procesin e Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Projekti aktual më i rëndësishëm është krijimi i tregut të përbashkët rajonal, këtu besoj se do të arrijmë të përfundojmë katër marrëveshje për lëvizjen e personave dhe njohjen e diplomave.”, tha Scholz.
Ndërsa, kryeministri Kurti pas takimit që ka zhvilluar ka thënë se temë e parë e diskutimit ka qenë ajo e luftës në Evropë, “pra e invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë të cilin Republika e Kosovës e dënon ashpër dhe e ka dënuar që në ditën e pare”.
LEXO EDHE: Fjalimi i plotë i Kurtit në konferencë me kancelarin Scholz
Kurse, në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti ka thënë se e ka njoftuar kancelarin gjerman se Kosova është pro-aktive dhe konstruktive në dialog, duke sjellë edhe propozime në linjë me vlerat e BE-së.
“Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund. Ne jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë”, ka thënë Kurti.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Duke iu referuar marrëveshjes së pritur midis tyre, Scholz tha se dokumenti do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen e Kosovës.
Ndryshe, Kurti përmes një postimi në Tëitter, ka thënë se ndjehet i inkurajuar nga mbështetje e fortë e kancelarit Scholz për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe ridinamizmin e Procesit të Berlinit.
“Faleminderit kancelarit gjerman për pritjen e ngrohtë. Dy vendet tona janë të lidhura me vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë”.
“Ne jemi të inkurajuar nga mbështetja juaj e fortë për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe ridinamizmin e Procesit të Berlinit”, ka shkruar Kurti.
Kancelari Scholz ka zhvilluar takim edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga i cili shpreson që Serbia të mos e braktisë Këshillin e Evropës
“Unë dua që Serbia të qëndrojë në Këshillin e Evropës. Kontributi i dhënë atje është i rëndësishëm”, tha Scholz.
Kurse, edhe presidenti Vuçiq pas takimit me Scholz ka thënë se Serbia është një favor të një kompromisi me Kosovën.
Madje, Vuçiq theksoi se Serbia është duke tentuar të mundësoj paqe në Ballkan
“Do ta bëjmë më të mirë për të lëvizur drejt një zgjidhjeje me kompromis, do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por sic kemi të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër”, ka deklaruar ai.
Duke folur rreth dialogut Beograd-Prishtinë, Vuçiq ka shprehur besimin e tij se do të gjendet kuraja për të bërë progres në këtë proces. Ai ka thënë se për Serbinë ky nuk është një proces i lehtë.
Takimin e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq me kancelarin gjerman e kanë komentuar edhe skena politike dhe shoqëria civile.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur sa i përket takimit mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit gjerman në Berlin, Olaf Scholz.
Sipas Hazirit e veçanta e këtij takimi është se ka ndryshuar formati i vizitave që më herët kanë qenë më ndryshe sepse kryeministrat kosovarë nuk thirreshin në takime të veçanta.
Haziri vlerëson se në këtë takim mes dy krerëve të dy vendeve, është konfirmuar nga Berlini mbështetja për dialogun me Serbinë.
“Është konfirmuar për herë të parë nga mekanizmi i Berlinit që do të vazhdohet si iniciativë e ish-kancelares gjermane për të cilën ka pasur hamendje në Gjermani edhe në politikën gjermane të kancelarit, por është konfirmuar se mekanizmi në kuadër të 4 kushtetve edhe sot do të vazhdon dhe u paralajmëru takimi i radhës dhe krejt ky i jep peshë vizitës”.
“Arritja që të takohen kryeministri i Kosovës dhe ai serb me ndërmjetësimin Evropian vështirësitë e Lajçak për t’u takuar u zhvendosën në Berlin ka ndërruar vendi dhe formati i ndërmjetësimit në kuadër të angazhimeve për dialog vjen një javë pas vizitës së sekretares amerikane që e qartësoi se status quo është armiku më i madh i BP në kohën e zhvillimit të luftës në regjion mes Rusisës dhe Ukrainës”, tha Haziri.
Ndërsa,Violeta Haxholli nga KDI tha se “ është e vështirë që Serbia të lëvizë drejt njohjes së Kosovës”.
“Raportet Kosovë- Serbi dhe procesi i dialogut ka shumë kohë që janë zhvilluar me hapa të ngadaltë. Ky takim dhe ftesa e kancelarit gjerman Olaf Scholz tregon angazhimin e Gjermanisë dhe një përpjekje për t’i dhënë një dinamikë të re këtij procesi”, ka thënë Haxholli.
Ndryshe, Lajçak bën të ditur se diskutimet me kryenegociatorët e dialogut do të vazhdojnë më 13 maj. /Gazeta Enigma/.