Disa përgjime që ngrisin dyshime serioze mbi një aferë korrupsioni që përfshin edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu, është publikuar sot.
Në emisionin “Ditari i Buzhalës” në Gazetën Nacionale, sot është trajtuar një rast korrupsioni që dëmton interesin publik dhe ku përmendet dhe emri i ministrit Aliu.
Bëhet fjalë për kompaninë “Infratek”, ku kishte punuar këshilltari i ministrit Aliut, Florent Ramqaj, e cila është pronë e dajës së tij, Halil Jahaj.
Ramqaj ka reaguar pak minuta më parë në lidhje me këtë çështje, duke i demantuar raportimet se nuk ka asnjë të vërtëtë.
“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë”, ka shkruar ai.
“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka theksuar ai.