Përkundër kundërshtimeve të opozitës, miratohen tri marrëveshje ndërkombëtare (VIDEO)

Përkundër kundërshtimeve të opozitës, miratohen tri marrëveshje ndërkombëtare (VIDEO)

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare, por që u kritikua tej mase nga deputetët e opozitës, të cilët kishin të bëjnë me marrjen e një kredie për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës në vlerë prej mbi 30 milionë euro, ndërsa e treta marrëveshja për reformimin e ndihmës sociale.

Për pikën e fundit, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati po lëvdohet që ke bërë menaxhim të mirë e në anën tjetër po hynë kredi për skema sociale.

“Asnjëherë nuk ka ardhur në asnjë qeveri kërkesë për me marrë kredi për skema sociale. Çfarë ministri je ti, lëvdohesh se ke bë punë të mira e këndej kërkon 15 milionë euro kredi”, i ka thënë Hoti-Muratit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kjo kredi 47 milionëshe ka për qëllim reformimin e skemave sociale.

“Tek kategoria e parë në seksionin 3 thuhet se janë mallra dhe shërbime që nënkuptohen investime në ngritjen e sistemeve… këto sisteme që duhet të ngriten që të mund të kemi një data bazë më të mirë dhe më të integruar. Sa i përket te transferet prej 15 milion euro këto e jemi dakorduar edhe me bankën botërore. Kemi të bëjmë me një rimbursim të buxhetit i cili pastaj neve na mundëson që të rrisim mbështetjen për familjet me asistencë sociale. Ndërsa komponenta 4 mundëson pilotimin e testit të varfërisë”.

“Komponenta 5-të parasheh mbështetjen në vazhdimësi pas adoptimit të ligjit të ri… më përgjegjësi konsideroj që kushtet janë tej të volitshme dhe është e rëndësishme që sa më para të miratohet ky buxhet”, tha Murati.

Mirëpo sërish kritik ndaj kësaj kredie u shpreh, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Marrëveshja është e njëjtë, nuk do të rritet asistenca sociale, ne nuk kemi hyrë në kredi asnjëherë për ndihma sociale. Çfarë ministri i Financave je kur kërkon kredi për ndihma sociale”, tha ai.

Përkrahje marrëveshjes ndërkombëtare i dha edhe AAK-ja. Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se janë pro marrëveshjeve ndërkombëtare që shkojnë në favor të zhvillimit ekonomik e qytetarëve

“Mirëpo nga praktikat që i kemi nga këto huazime ne kemi shumë projekte me vite të tëra që nuk implementohen në Kosovë”, tha Lekaj.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi nga ministri që kreditë e buta mos të ridestinohen në projekte të tjera. Siç tha ai, ka ndodhur në qeverinë Kurti I, kur kreditë e buta janë ridestinuar në shkollimin e personave të caktuar dhe asambletë kulturore në Dubai.

Por ministri Murati i mohoi ato se mund të ketë ridestinime të mjeteve nga kjo kredi.

“Për ridestinimin nuk jam i sigurt që është e saktë, por me ministrinë e linjës mund ta ftoni në komision e t’i pyesni. Mund të flas se si funksionojnë me bankën botërore. Kjo bëhet çdo herë me dakordimin e palës tjetër, pra me bankën botërore dhe mund të ketë lëvizje nëse kanë tepruar mjete, të lëvizin nga një kategori në tjetrën por kjo bëhet brenda për brenda atij projekti”, tha Murati.

Krahas këtyre, Komisioni miratoi edhe plotësim-ndryshimet në Projektligjin për themelimin e fondit për garanci kreditore./Gazeta Enigma/

Related Articles