Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, ku mbeti i therur me thikë një person.
Këtë herë në rast janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për motive akoma të panjohura, me ç’rast përleshja eskaloi deri në përdorimin e thikës dhe për pasojë viktima pësoi lëndime të rënda.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije për Sinjalin se 33-vjeçari i lënduar është dërguar me lëndime serioze në spital, por sipas informacioneve të para nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Në anën tjetër, i dyshuari është identifikuar nga Policia, teksa në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe të ndërmerren veprimet hetimore për kapjen e të dyshuarit.