Përleshjet mes nxënëseve në shkollat fillore e të mesme të vendit janë shumë të shpeshta. Të tilla raste shpesh eskalojnë edhe në rrahje brutale e përdorim të mjeteve të forta e të mprehta, duke cenuar sigurinë e nxënësve në këto institucione arsimore.
Kështu ka ndodhur edhe sot në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë, ku një nxënës po dyshohet se ka therur me thikë një bashkëmoshatare të tij, 15-vjeçare, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore si pasojë e goditjes.
Burime nga Emergjenca kanë bërë me dije se vajza është pranuar në këtë qendër me plagë në abdomen (bark), ku është trajtuar nga ekipi mjekësor dhe fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.
Sinjali mëson se posa rasti është denoncuar, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari E.J., dhe më pas është shoqëruar në stacion, ku në prani të prindit të tij ka dhënë deklaratë për motivin që e shtyu ta sulmojë me thikë shoqen e shkollës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.