Përvjetori i masakrës në Krushë të Madhe – Organizohet tubim përkujtimor

Përvjetori i masakrës në Krushë të Madhe – Organizohet tubim përkujtimor

Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Në këtë përvjetor të trishtë të historisë së Kosovës, në Krushë të Madhe po mbahet tubim përkujtimor dhe homazhe te Kompleksi Memorial i Krushës së Madhe.

Në këtë tubim, po marrin pjesë e presidentja Vjosa Osmani, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Osmani foli edhe për masakrën ndaj familjes Berisha, duke thënë se “në pragun e shtëpisë së tyre, aty ku duhej të mbretëronte jeta dhe siguria, anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka u përballën me barbarinë e regjimit gjenocidal të Serbisë”.

“Në pragun e shtëpisë së tyre, aty ku duhej të mbretëronte jeta dhe siguria, anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka u përballën me barbarinë e regjimit gjenocidal të Serbisë. 49 anëtarë të kësaj familje, prej të cilëve 19 viktima kanë qenë të moshës nën 18-vjeçare , u masakruan mizorisht, ndërsa trupat e tyre u zhdukën e u bartën gjetiu, në përpjekje për të fshehur krimin dhe për t’i shuar gjurmët e së vërtetës”, tha Osmani.

“Fati deshi që tre prej tyre, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, të shpëtonin. Ata mbetën jo vetëm dëshmitarë të një krimi të rëndë, por edhe zë i kujtesës që nuk shuhet. Kjo histori nuk është vetëm dhimbje, por thirrje për drejtësi. Është kujtesë që nuk lejohet të zbehet, sepse krimet që harrohen, rrezikojnë të përsëriten.  Kujtimi për krime sikurse ky janë  themel i së vërtetës dhe i kërkesës për drejtësi”, u shpreh tutje e para e vendit.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët!”, përfundoi Osmani.

Related Articles