Gazeta Enigma ka raportuar se këtë të martë do të dalin para gjykatës të arrestuarit që dyshohet se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë.
Seanca ka filluar në orën 10:30, nën masa të rrepta të sigurisë dhe nën përcjelljen e njësive elitare të Policisë.
Ata do t’i dëgjojnë dyshimet e Prokurorisë Speciale dhe do të përballën me kërkesën e saj për caktimin e masës së paraburgimit.
Pesë të arrestuarit për terrorizëm u paraqiten para gjykatës së Prishtinës nën dyshimet se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë.
Ndryshe, të dyshuarit u arrestuan dy ditë më parë në një aksion i cili është zhvilluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Gjatë bastisjeve të lokacioneve ku janë arrestuar të dyshuarit janë gjetur një arsenal armësh të rënda si materie eksplozive, armë të zjarrta, dron si dhe armë anti-tankë.
LEXO EDHE: Armë e granata dore dhe para të gatshme u sekuestrohen 5 të dyshuarve për terrorizëm
Ndërsa, Prokuroria Speciale ka njoftuar dje se arrestimi u bë pas hetimit disa mujor dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit e vëzhgimit.
Përveç veprës për përgatitje të veprave terroriste, prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit po dyshohen edhe për “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Gazeta Enigma/.