Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pas takimit dypalësh me emisarin e BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka thënë se është delegacioni i Kosovës ai që ka refuzuar të bisedoj për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një prononcim për mediat serbe, Petkoviç ka thënë se delegacioni nga Beogradi ka insistuar të bisedohet për Asociacionin.
“Prishtina është ajo që refuzon të flasë për formimin e ASK-së, edhe pse pala jonë shumë drejtpërdrejt ka insistuar në formimin e ASK-së dhe ka paraqitur hapa konkretë për formimin e këtij komuniteti”, ka thënë ai.
Tutje Petkoviç, është shprehur se Kosova sot në Bruksel ka refuzuar të marrë pjesë në një bisedë të drejtpërdrejtë me delegacionin e Beogradit për bashkimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se tema e diskutimit të delegacionit të tyre në Bruksel ishte vetëm ASK-ja.