Drejtori i ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë , Petar Petkoviq, është takuar sot me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
Temë e diskutimit ka qenë votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit të organizuara nga Serbia.
Petkoviq është ankuar që serbëve nuk iu është lejuar të votojnë brenda territorit të Kosovës në referendumin e Serbisë.
“Deklaratat e përditshme të politikanëve të Prishtinës se serbëve në Kosovë do t’u ndalohet të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga Republika e Serbisë, veçanërisht në zgjedhjet e 3 prillit, ngrehin shqetësime shtesë dhe kërcënojnë të sjellin pasoja të paparashikueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviq.
Tutje, Petkoviq shtoi se deri më tash OSBE-ja ka mundësuar për qytetarët serbë në Kosovë të votojnë në zgjedhjet e shpallura nga Serbia dhe pret që Misioni të vazhdojë të veprojë në përputhje me mandatin e tij.
“Petkoviq përkujtoi se populli serb në Kosovë deri më tani, me mbështetjen e OSBE-së, ka pasur të drejtën e votës në zgjedhjet e shpallura nga Republika e Serbisë, duke theksuar se Misioni i OSBE-së është përgjegjës për organizimin e votimit më 3 prill në Kosovë dhe serbëve t’ua mundësojnë të drejtat e tyre civile dhe demokratike”.
“Petkoviq vlerësoi se OSBE-ja në Kosovë ka një rol të rëndësishëm në vendosjen e sundimit të ligjit dhe një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe shprehu pritjen që ky Mision të vazhdojë të veprojë në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në të ashtuquajturën zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në njoftim tutje thuhet se “ngjarjet e fundit kërcënojnë të anulojnë plotësisht progresin e arritur në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe të sjellin kërcënim serioz për paqen dhe destabilizimin e rrezikshëm të rajonit, gjë që Beogradi nuk e do aspak”. /Gazeta Enigma/.