Pjesëtari i grupit “Kumanova” nga burgu flet për Gazetën “Enigma”, pasi u quajtën terrorist

Pjesëtari i grupit “Kumanova” nga burgu flet për Gazetën “Enigma”, pasi u quajtën terrorist

Akuzave se janë terrorist, si dhe diskutimeve se a është Kosova e gatshme ta njoh verdiktin gjyqësor për rastin “Lagjja e Trimave”, iu është përgjigjur në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Enigma”, Naser Bajraliu, nga Gjilani, i cili aktualisht po vuan dënimin në burgjet e Maqedonisë së veriut, shkruan Gazeta “Enigma”.

Unë personalisht në seancën e parë gjyqësore ju kam drejtuar gjykatës se unë terrorist nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të bëhem kurrë, dhe nuk do të ndalem edhe në Strazburg, deri sa të dihet se kush është kryesori në këtë punë. E dua të vërtetën se 10 djem janë në varr, dhe 33 jemi ne burg, jemi dënuar me 746 vite burg, 8 jemi burg te përjetshëm”, tha ndër të tjera Bajraliu.

Bajraliu, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm, për Gazetën “Enigma”, ka thënë se sa i përket transferimit në Kosovë, ata janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme.

Tutje ai iu është kundërpërgjigjur edhe akuzave të analistit, Vehbi Kajtazit, i cili i quajti grupin “Kumanova”, si terrorist.

“Tash janë aktivizuar edhe disa analistë si Vehbi Kajtazi i cili ka afera të veta me rus dhe të tjerë që nuk ja duan të mirën Shqiptarisë, dhe me fyen mua pa me njoftë se kush jam. Kam dëgjuar këtë analistin se në një debat e ka thënë se ne kemi ardhur me vra edhe Ali Ahmeti. Ja bëjë me dije këtij “analisti” se nuk jam vrasës dhe nuk dua ta vras as kënd, skam barut për shqiptarët”, tha tutje Bajraliu.

Naser Baraliu, i dënuar për rastin “Lagjja e Trimave”

I pyetur se a shpreson se Qeverina aktuale e Kosovës do ta zgjidh rastin e tyre, ai tha se cilido politikan duhet të jetë zë i pjesëtarëve të këtij grupi, që sipas tij po mbahen padrejtësisht në burgjet e Maqedonisë së veriut.

“Kushdo që të jetë në Qeverinë e Kosovës më pëlqen të besoj se e duan shqiptarin, secilin politikan kur ta dëgjosh e ka mirë në atë të vetën. Për rastin tonë të gjithë politikanët të jenë njëzëri dhe neve të mos na lënë as 24 orë këtu brenda, se rasti ynë është kryekëput politik dhe s’ka tjetër”, rrëfeu ndër të tjera ai.

Osmani: Po presim vendimin e Gjykatës Supreme

Ndërkohë, në kohën kur është riaktualizuar sërish çështja e grupit “Kumanova”, të mërkurën Presidentja Vjosa Osmani gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është pyetur se a është e gatshme Republika e Kosovës ta njoh verdiktin gjyqësor për rastin “Lagjja e Trimave”, me qëllim që ti transferoj të burgosurit shtetas kosovar në Maqedoninë e Veriut brenda Kosovës.

Sipas presidentes duhet pritur që të përfundoj i gjithë procesi.

“Mendoj që duhet të presim që procesi të përfundojë në plotëni dhe po ashtu që të zbardhen të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Për momentin, rasti ndodhet në Gjykatën Supreme dhe pasi të japë verdiktin Gjykata Supreme juridikisht edhe ezaurohen të gjitha mjetet juridike sa i përket proceseve gjyqësore brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani të mërkurën në konferencë për media


Tutje ajo ka përmendur edhe një hetim ndërkombëtar për këtë rast. “Ne e kemi parë që edhe vetë kryeministri Zaev ka shprehur gatishmërinë se mund të ketë hetim ndërkombëtar apo edhe përfshirje të ekspertëve nga jashtë të cilët do t’i ballafaqojnë provat lidhur me këtë rast dhe do ndihmojnë që të zbardhin rastin deri në fund.”, tha Osmani.

Ndërkohë së fundmi, gazetari kosovar, Vehbi Kajtazi, ka thënë se Grupi i Kumanovës “janë një bandë kriminale”.

Këto deklarime Kajtazi i ka bërë gjatë një emisioni debatues, duke treguar detaje edhe rreth hetimeve që janë bërë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Ajo është një bandë kriminale, e cila e armatosur deri në dhëmbë kanë shkuar atje dhe kanë hyrë në Kumanovë, në një zonë…cilat drejta të shqiptarëve? Një bandë kriminale prej ktuhit po shkon për të drejta të shqiptarëve atje. A e din që ka pas hetim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, që kjo bandë ka planifiku me sulmu Burgun e Sigurisë së Lartë me e nxjerr një kriminel tjetër, si Bedri Krasniqi, dmth ne po i harrojmë këto sende e këto fakte”, ka thënë ai.

Kush ishin grupi Kumanova dhe çka ndodhi?

E gjithë ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në datat 9 dhe 10 maj në Maqedoni, ku si rezultat i përplasjeve të armatosura në Kumanovë më konkretisht në “Kodrën e Trimave” kishin mbetur të vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore maqedonase dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur.

Të shtënat kishin nisur në orët e hershme të mëngjesi të 9 majit 2015, derisa lagjia “Kodra e Trimave” ishte shndërruar në një zonë luftimesh të ashpra me banorët që ishin tronditur pa e ditur se çfarë po ndodhte dhe kush me kënd po luftonte. Pas përfundimit të luftimeve, lagjia ngjasonte me një gërmadhë.

Luftimet kishin zgjatur dy ditë, duke mbetur të vrarë 8 policë të Maqedonisë dhe 10 pjesëtarë të “Grupit të Kumanovës”, derisa pjesa tjetër e grupit ishin dorëzuar dhe më pas edhe arrestuar.

Pjesëtarët e grupit “Kumanova”

Shumica e pjesëtarëve të këtij grupi ishin nga Kosova e që gjatë kohës së luftës në Kosovës disa kishin qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç kishin deklaruar nga ky grup, vendosja e tyre në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Derisa kjo ndërhyrje dhe bastisje e shtetit të maqedonas në lagjen “Kodra e Trimave” kishte ardhur në një kohë tensionesh politike Maqedoni, ku liderët e opozitës kishin organizuar protesta të mëdha e ku bënin thirrje që t’i jepej fund pushtetit të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski.

Të vdekur nga luftimet në Kumanovë kishin mbetur Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Rexhaj, Samid Rashiti, Fatlum Vishella dhe Arben Rexhaj nga Kosova dhe Nysret Kolshi nga Shkupi. / Gazeta Enigma.

Related Articles