Ligjvënësit e Parlamentit Evropian bënë thirrje të mërkurën për një hetim ndaj komisionerit të zgjerimit Oliver Varhelyi. Deputetët shprehin shqetësimin se ai favorizon presidentin serb pro rus, Alexander Vuçiq.
Në raportin e miratuar të mërkurën nga Parlamenti Evropian në Strasburg, eurodeputetët i kërkuan komisionit të BE-së të nisë një “investigim të pavarur dhe të paanshëm” për të parë se a është politika dhe sjellja e komisionerit të zgjerimit Oliver Varhelyi, në kundërshtim me kodin e sjelljes se Komisionit dhe të BE.
Në raportin vjetor për zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), miratuar të mërkurën me 407 vota pro, 92 kundër dhe 142 abstenime, PE shpreh shqetësimin për informacione që supozojnë se politikani hungarez “përpiqet qëllimisht të anashkalojë dhe minojë reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE)”.
Prandaj PE i bën thirrje Komisionit Evropian të nisë një hetim të pavarur dhe të paanshëm për të përcaktuar nëse sjellja dhe politikat e Komisionerit është në kundërshtim me Kodin e Sjelljes për Anëtarët e Komisionit dhe detyrimet e Komisionerit sipas Traktateve të BE-së.
Grupi S&D, i socialistëve dhe demokratëve, në Parlamentin Evropian, i cili promovoi peticionin, tha se ishte “i alarmuar nga lajmet” për veprimet e komisionerit. “Komisioneri Varhelyi vazhdimisht relativizon sulmet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj demokracisë dhe mbështet veprimet separatiste të Milorad Dodik”. Ky grup, i dyti për nga madhësia në Parlamentin Evropian, thotë se e ka “pranuar kandidaturën e komisionerit Varhelyi me kusht që ai të veprojë vetëm në interes të të gjithë BE-së. Jo në interes të qeverisë së Budapestit. Tani, pas tre vjetësh në detyrë, ka arsye serioze për të besuar se komisioneri po ndjek agjendën e (Viktor) Orban”, është shprehur eurodeputeti holandez Thijs Reuten, një nga bashkëhartuesit e raportit.
“Roli i Komisionit Evropian është të mbrojë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të garantojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë. Jo anasjelltas”, thekson S&D.
“Mbështetja e pozicioneve nacionaliste dhe separatiste të Dodikut jo vetëm që do të ishte kundër Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian, por do të ishte lojë me zjarrin”, paralajmëron ai në deklaratë.
Në bazë të raporteve të Komisionit, Këshilli vendos për një mandat negociues me vendet përkatëse, Bosnja dhe Hercegovina e mori statusin e kandidatit për BE në tetor, duke iu bashkuar Malit të Zi dhe Serbisë, Kosova ende nuk e ka marrë këtë status, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë në një fazë të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, me negociatat e anëtarësimit të hapura që nga 19 korriku.
Komisionieri i zgjerimit Varhelyi konsiderohet si njeriu i Orbanit në Bruksel dhe është kritikuar edhe më parë për sjellje miqësore dhe të butë ndaj autokratëve të Ballkanit, sidomos presidentit serb, Aleksander Vuçiq.