Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në fjalën e saj në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, foli për rrezikun ndaj sigurisë dhe paqes në Evropë.
Ajo tha se po paralajmërojnë siç ishte paralajmëruar për Millosheviqin dhe Vuçiqin në vitet e 90-ta.
“Për sa i përket rrezikut ndaj sigurisë dhe paqes në Evropë, prapë po i përmendi faktet, po paralajmërojmë edhe njëherë, si ata që kanë paralajmëruar për Millosheviqin dhe Vuçiqin në vitet e 90-ta , dhe ata që paralajmëruan për Putinin dhe duart e tij të zgjatura që nga viti 1999”, tha ajo.
Gërvalla u shpreh se Albright i kishte vërejtur rreziqet dhe ka pasur kurajo që të ballafaqohet me të tjerët.
“Kemi kërkuar që të na dëgjojnë, gjashtë luftëra të tmerrshme edhe gjenocid në Ballkan, e dhjetëra konflikte të tilla që janë zhvilluar diku tjetër, por Albright ishte ndryshe, e kishte atë shqisë, i vërejti rreziqet dhe pati kurajo që të ballafaqohet me të tjerët, me të vërtetën e pa pëlqyeshme. Ajo theksoi se si Millosheviqi ishte rrezik i drejtpërdrejt për paqen në Ballkan dhe ishte ajo që tha se ai nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit. Albright mori hapat e domosdoshëm për ta ndalur Millosheviqin nga shkatërrimi i paqes, ajo arriti ta bënte këtë përmes një analize të qartë”, u shpreh tutje ajo.