Policia e Kosovës mohon raportimet se Njësia Speciale është mbledhur për të ndërhyrë në veri

Policia e Kosovës mohon raportimet se Njësia Speciale është mbledhur për të ndërhyrë në veri

U raportu nga mediat serbe që njësitet speciale janë duke u bërë gati për një aksion në veri të Mitrovicës, mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, se shkrimet e tilla të mediave serbe janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik.

“Referuar shkrimeve dhe publikimeve të bëra sot 10/12/2021 nga disa mediume kryesisht serbe, se kinse njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë përforcuar në jug të Mitrovicës dhe po përgatitet të hyjnë në veri të Mitrovicës, ju informojmë se informacionet dhe shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik”, ka potencuar ai.

Tutje Kelani ka bërë të ditur se “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në baza ditore kryen aktivitete dhe punë rutine policore”.

Ndryshe, gazeta serbe “Kurir” që i shërben drejtpërdrejt presidentit Aleksandër Vuçiq shkruan se Policia e Kosovës po përgatit një operacion në veri me forcat e saj speciale.

Media serbe”Kurir” që i shërben Aleksandër Vuçiqit shkruan se njësitë speciale të policisë së Kosovës janë duke qëndruar në pjesën jugore të Mitrovicës që nga mëngjesi i sotëm.

Sipas tyre ata po qëndrojnë në bazën e policisë speciale Belvedere me diku 100 pjesëtarë të armatosur që janë në gjendje gatishmërie.

“Kurir” raporton se tri makina të policisë speciale janë duke qëndruar gati teksa një njësi tjetër është dërguar nga Prishtina.

Në tetor të këtij viti ishte zhvilluar një aksion në Veri për luftimin e mallrave të kontrabanduara. Por pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin hasur në rezestencë atje dhe disa nga ta kishin pësuar lëndime trupore.

Më pas në konferencë Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kishte thënë se për këtë aksion ka pasur rrjedhje të informacionit.

/Gazeta Enigma/

Related Articles