Kurti: S’lejojmë asnjë individ që të jetë më i fortë se shteti

Kurti: S’lejojmë asnjë individ që të jetë më i fortë se shteti

Në Kosovë është duke u shënuar java kundër luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Lidhur më këtë, në fillim të mbledhjes së Qeverisë ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të angazhohen për kauzën që i ka sjellë në qeverisje.

“Do të vazhdojmë të mbrojmë dhe angazhohemi për kauzën që na ka sjellë në qeverisje, drejtësi, barazi dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit. Këta tetë muaj kanë dëshmuar se korrupsioni nuk mund të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik sepse dikasteret qeveritar sot udhëhiqen nga profesionistë dhe me integritet më të lartë moral”, ka thënë Kurti.

Sipas tij toleranca ndaj korrupsionit do të jetë zero.

“Pa u dëshmua e kundërta ju garantoj se masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është zero”, ak thënë ai.

Kurti, ka treguar edhe numrin e aksioneve të Policisë, që ka zhvilluar kjo e fundit kundër krimit të organizuar.

“Deri tani Policia ka realizuar mbi 500 operacione, mbi 900 bastisje dhe i ka shkatërruar 41 grupe kriminale. Luftën kundër kriminalitetit po e bëjmë bashkërisht me aleatët tanë”, ka treguar ai.

I pari i kabinetit qeveritar ka folur edhe për sanksionet që ka vendosur Amerika kundër bandës në veri.

“Sanksionet ndaj bandës në veri treguan qartë adresat e vatrave të kriminalitetit që shtypin e shfrytëzojnë qytetarët e pjesës veriore. Lidhjet e tyre dhe fushëveprimet e tyre ne do ti përgjigjemi me luftë të përbashkët me aleatët tonë ndërkombëtarë. Nuk do të lejojmë asnjë individ e asnjë grup që të jetë më i fortë se shteti e rendi demokratik”, ka thënë Kurti./Gazeta “Enigma”/

Related Articles