Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka goditur me veturë një fëmijë të gjinisë mashkullore dje në rrugën “Vicianum” në Prishtinë.
Policia konfirmon se fëmija ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti është hapur si “aksident trafiku me lëndime”.
Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se e dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar.
“E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kur aksidenti u raportua në media, pas një kohe ministrja Hajdari doli me një deklaratë me të cilën shkaktoi reagime publike duke thënë se “një fëmijë u përplas në veturën e saj”.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.