Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka kapacitet për menaxhimin e situatës në veri, raporton Gazeta Enigma.
Kjo edhe pas dorëheqjes së 578 pjesëtarëve nga komuniteti serb.
Organet e rendit njoftojnë se disa nga ta janë në proces të dorëzimit të pajisjeve.
“Policia e Kosovës ashtu siç e ka potencuar edhe më parë, ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri, ku tani pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rris gradualisht kapacitetet e saja policore me zyrtarë të rendit publik”, njofton policia.
“Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civil nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguar njoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në pesëqind e shtatëdhjetë e tetë (578) punonjës. Disa prej tyre janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara”.