Policia e Kosovës me plan operativ për 17 Shkurtin, disa rrugë mbyllen

Policia e Kosovës me plan operativ për 17 Shkurtin, disa rrugë mbyllen

Me rastin e shënimit të 18-të vjetorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës (PK) ka ndërmarrë masa të nevojshme planifikuese operative dhe preventive, duke hartuar një plan të veçantë operativ, për të siguruar që mbarëvajtja e evenimenteve manifestuese të kalojnë në mënyrë të qetë e festive, duke iu mundësuar qytetarëve të Republikës së Kosovës që të festojnë ditën e pavarësisë së vendit.

Edhe këtë vit “Dita e Pavarësisë së RKS-së”, do të shënohet kryesisht me ngjarje kulturore, aktivitete dhe manifestime të ndryshme, ngjarje këto që fillojnë nga data 16.02.2026 dhe vazhdojnë sipas agjendës shtetërore me manifestime të ndryshme, përfshirë aktivitetet e parapara për 17 shkurt, ku bën pjesë edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i Policisë së Kosovës.

Qëllimi i planifikimeve operative policore përmes këtij urdhri të veçantë operativ ndër të tjera është:

•mbajtja e rendit, qetësisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit,

•shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike në vend,

•ofrimi i sigurisë së shtuar, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të organizuara nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës,

•ngritja e nivelit të përgjegjësisë policore në monitorim, reagim dhe veprime konform zhvillimit të situatës, për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese në gjithë vendin.

Bazuar në agjendën shtetërore, ku janë paraparë aktivitete të ndryshme, ndër to edhe parakalimi i FSK-së dhe PK-së, në disa segmente rrugore të kryeqytetit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut rrugor si në vijim:

Ndërprerja e qarkullimit të trafikut pritet të fillojë nga ora 07:00 në rrugët operacionale,  rruga Fehmi Agani, rruga Luan Haradinaj, rruga Kostra Novakoviq, rruga Tiranës – hekurudhës në kthim njëra korsi, si dhe rruga Robert Doll njëra korsi për parkimin e autobusëve dhe kamionëve për personelin e PK-së dhe FSK-së.

Me qëllim të shmangies së kolonave të mundshme dhe lehtësimit të qarkullimit të trafikut për aktivitetet e parapara, LUTEN qytetarët, pjesëmarrësit në trafik që të shmangin frekuentimin e këtyre rrugëve dhe të orientohen në rrugë alternative, ku për këtë do të kujdesen njësitë policore të trafikut.

Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik dhe njëherit i falënderon për bashkëpunimin e vazhdueshëm të treguar me PK-në.

Related Articles