Policia e Kosovës po vazhdon të shqiptojë gjoba në bazë të videove dhe fotove që po i postojnë mediat dhe rrjetet sociale të shkelësve të rregullave në trafik, raporton Gazeta Enigma.
Policia ka njoftuar se ka gjobitur një pjesëtar të policisë së Kosovës, pasi i njëjti me automjetin zyrtar ka bërë tejkalim në vijën e plotë.
“Automjeti që shihni në këtë foto është i Policisë së Kosovës, ndërsa pas pranimit të informacioneve relevante është identifikuar shoferi i tij dhe Policia ka marr masat adekuate përfshirë edhe shqiptimin e gjobës ndaj këtij punonjësi policor”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Policia kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik qofshin ata edhe zyrtarë policor apo të tjerë të ju përmbahen rregullave në trafik sepse zero tolerancë do të aplikohet ndaj secilit pa dallim.
Ndryshe, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, Policia e Kosovës, krahas kontrolleve me radar ka filluar edhe monitorimin e trafikut me dron.
Kjo formë po ia lehtëson policisë evidentimin e ngasësve të automjeteve që shkelin rregullat e trafikut. Tejkalimet në vijë të plotë janë shkeljet më të shpeshta që kapen përmes dronit. /Gazeta Enigma/