Policia ka nisur heqjen e kamerave në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi ato konsiderohen se janë vendosur ilegalisht në vende publike.
Në vetëm dy prej tyre në veri – Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok – u hoqën mbi 50 kamera vëzhguese, ditëve të fundit.
Në territorin e qytetit të Mitrovicës së Veriut, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 11 kilometrash katrorë, u hoqën 38 kamera, ndërsa në Zubin Potok 13.
“Policia nuk kishte njohuri për këto kamera dhe për këtë arsye ato u hoqën”, tha zëvendësdrejtori i policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai paralajmëroi se autoritetet e Kosovës do t’i vendosin kamerat e tyre, të cilat do të kontrollohen ekskluzivisht nga Policia e Kosovës.
Kamerat që u hoqën, janë prodhim i Kinës, por Elshani nuk mundi të specifikonte se për çfarë modeli bëhet fjalë.