Policia në aksion, arrestohen disa të kërkuar nga Gjykatat që po i iknin dënimeve me burgim

Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia.

Vetëm gjatë ditës së sotme , Sinjali mëson se kanë rënë në pranga të Policisë edhe disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.

Fillimisht në orët e para të mëngjesit në lagjen e Ferronikelit në Drenas, Policia ka arritur të arrestojë një 40-vjeçar, i cili po kërkohej në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Sinjali mëson se bëhet fjalë për F.L., i cili ishte dënuar me më shumë se një vit burgim lidhur me një rast për të cilin akuzohej.

Në pikë të mëngjesit, një njësi policore ka zbarkuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku është arrestuar një 30-vjeçar, i cili po kërkohej me urdhërarrest. Pas arrestimit, i riu është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese për ta vuajtur dënimin.  

Sinjali merr vesh se edhe në fshatin Makovc të Prishtinës është kapur 58-vjeçari, i cili ishte dënuar me katër vjet burgim për shitblerje të drogës. Ndaj tij kishte urdhëresë aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që u zbatua nga Policia.

Edhe në qytetin e Mitrovicës, Policia ka ndaluar dy persona, të cilët ishin në listën e personave të kërkuar. Njëri prej tyre është M.H., i cili  e ka paguar gjobën, pasi dënimi ndaj tij për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve” ka qenë i zëvendësuar.

Kurse e arrestuara tjetër është kapur në një lokal në këtë qytet dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku janë kryer procedurat e nevojshme policore. E njëjta është dërguar në qendrën korrektuese për femra në Lipjan, për ta vuajtur dënimin.

Related Articles