Policia demanton lajmin e mediave serbe se “njësia speciale rrahu tre serbë në Bërnjak”

Policia demanton lajmin e mediave serbe se “njësia speciale rrahu tre serbë në Bërnjak”

Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe se të mërkurën janë rrahur tre serbë në vendkalimin kufitar në Bërnjak, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndonëse ende nuk janë deklaruar publikisht, burime të Gazetës “Enigma”, brenda Policisë së Kosovës, e kanë mohuar këtë lajm, teksa e kanë cilësuar raportimin e mediave serbe si të rrejshëm.

“Tre kamionë i kanë ndalë policët, por ne s’kemi sulmuar askënd edhe të mërkurën mediat serbe kanë raportuar lajme të tilla të rrejshme”, ka thënë ky burim.

Ndërkaq, sipas medias serbe ‘Kosovo Online’, pjesëtarët e NJSO-s të vendosur në vendkalimin Bërnjak në komunën e Zubin Potok sulmuan tre serbë lokalë, Dragisa Vlaskoviç, Zoran Tomoviç dhe Jovan Takov.

“Sipas deklaratave të dëshmitarëve okularë, sulmi ndaj serbëve anëtarët e policët i shkaktuan lëndime të rënda Dragisa Vlaskoviç, e cila aktualisht është në Qendrën Shëndetësore Zubin Potok, ku po merr trajtim mjekësor”, raporton mediumi serb.

Në anën tjetër Policia e Kosovës në orën e mëngjesit në një deklarim për Gazetën “Enigma”, kanë theksuar se gjendja në këtë zonë është e qetë dhe pa tensione.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur se situata po vazhdon të jetë e njëjtë në atë pjesë.

Ai tha se gjendja edhe gjatë natës ka qenë e qetë dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që e kanë vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi dhe si çdo herë Policia e Kosovës po bën punën e saj në mënyrën më të mirë”, tha Kelani për Gazeta “Enigma”.

Ndërkaq, sot është dita e katërt që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ndërsa si rrjedhojë serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, derisa dy shtetet shkëmbyen akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve./Gazeta Enigma.

Related Articles