Policia ka sekuestruar 25 kilogramë marihuanë pas një aksioni në një banesë në Fushë-Kosovë dhe në dy shtëpi në Breznicë të Obiliqit.
Në lidhje me këtë rast është arrestuar një person nga policia kufitare në Han të Elezit, pas dyshimeve për posedim të narkotikëve, ku më pas edhe nisi aksioni i bastisjeve.
Sipas policisë, vlera e kësaj sasie të drogës arrin deri në 27 mijë euro.
“Në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë (Prokurorinë e Shtetit dhe Gj. E P. Paraprake) në Prishtinë është realizuar Plani Taktik policor i koduar me emrin ‘’KTHESA’’, ku gjatë kontrolleve të zhvilluara në tri (3) lokacione: një banesë në Fushë Kosovë dhe dy shtëpi dhe objekte përcjellëse në fshatin Breznicë të Obiliqit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar mbi njëzet e pesë kilogram (25 kg 134 gr.) substancë e dyshuar narkotike të llojit Marihuanë, të ndara në pesë (5) paketime. Sasia e sekuestruar dyshohet se ka qenë e destinuar për tregun vendor dhe që kap vlerën rreth njëzet e shtatë mijë e pesëqind euro (27.500 euro)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, gjatë operacionit policor është sekuestruar edhe automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari, si dhe një telefon.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.