Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi është dita kur shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat, shkruan Gazeta Enigma.
8 Marsi ka për qëllim kremtimin e rolit të gruas në histori si dhe në luftën e saj për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim, edhe në vendin tonë gjithashtu ka gra të cilat vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim.
Të jesh grua dhe të punosh edhe në anën profesionale nuk cilësohet të jetë edhe shumë e lehtë, e njëra ndër ato gra që punuan shumë për të arritur qëllimet e tyre është edhe nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku.
Sipas saj arritjet deri më tani kanë qenë falë punës dhe përkushtimit të pandalshëm, andaj edhe qytetarët e Gjilanit e vlerësuan dhe besuan në potencialin e saj profesional dhe politik.
“Unë jam një qytetare e rëndomtë me përgjegjësi të shtuara dhe besoj postet vijnë e shkojnë por veprat janë ato që lën gjurmë”, thotë ajo për Gazetën Enigma.
Si shtyllë kryesore edhe në edukimin dhe ndërtimin e familjes, Morina – Bunjaku rolin e gruas në shoqëri e cilëson të domosdoshëm.
“ Gruaja po ashtu duhet të jetë edhe në shoqëri edhe në anën profesionale si dhe fuqizimi e saj në procese vendimmarrëse sepse roli i saj në shoqëri është i domosdoshëm”, thotë nënkryetarja e Gjilanit.
Se sa ka qenë i vështirë rrugëtimi i saj si grua deri në pozitën e nënkryetares ajo me pak fjalë tregon si arriti deri këtu.
“Përkundër sfidave nga më të ndryshmet, asnjë herë nuk duhet të dorëzohemi. Sfidat më kanë skalitur që t’ ia dal”, rrëfen ajo.
“Por pavarësisht sfidave te ndryshme, sigurisht se edhe përkrahja nuk ka munguar. Familja e ngushtë dhe e gjerë më ka përkrahur fillimisht por nuk ka munguar edhe përkrahja e shoqërisë dhe rrethit prej nga vij”, shton Bunjaku- Morina.
Gjithashtu, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas ajo ka një mesazh për të gjitha gratë.
“Të jeni më ambicioze, këmbëngulëse dhe besoni vetes. Një grua duhet të mësohet të besojë në mbrojtjen e vetes së saj dhe të mos varet nga të tjerët. Ajo ka fuqinë të mbrojë familjen dhe fjalën dhe jo vetëm veten”, përfundon ajo.
Ndryshe, në Kosovë kësaj here dita e gruas nisi me protestën e grupit organizativ “Marshojmë S’festojmë”, për të kundërshtuar dhunën e burrave ndaj grave.
Ky marsh i kësaj organizate u bë bë edhe në qytete të tjera përveç Prishtinës, si në Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Rahovec, dhe Gjilan.
LEXO EDHE: Një 8 mars ndryshe në Kosovë: Pak festa e shumë protesta
Nënkryetarja e Komunës së Gjilait, Leonora Morina – Bunjaku, ishte pjesë e kësaj proteste në këtë komunë.
“Ne nuk kemi nevojë që vetëm një ditë t’i kujtojmë përpjekjet e tyre. Ato duhet respektuar dhe fuqizuar në vazhdimësi. Dita Ndërkombëtare e Gruas është dita ku shënohet lufta e grave për barazinë e tyre ekonomike, sociale e politike me burrat”, ka theksuar ajo gjatë protestës./Gazeta Enigma/