Prattipati – Kurtit: Veprimet që dobësojnë stabilitetin, sfidë serioze për partneritetin tonë

Prattipati – Kurtit: Veprimet që dobësojnë stabilitetin, sfidë serioze për partneritetin tonë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, është shprehur e zhgënjyer më deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti të bëra në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fjalimin e tij në këtë mbledhje Kurti hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.

Prattipati ka vlerësuar se deklaratat e Kurtit kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. 

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati në një përgjigje për KOHËN. 

“Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, ka deklaruar tutje Pratipati.

Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, të mbajtur të dielën Kurti ka thënë se “gjykata më e lartë në vend po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”. 

Akuzat janë bërë pas vendimit të Kushtetueses që ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. 

Masa është në fuqi deri në fund të shtatorit. 

Kurti ka thënë se me këtë vendim gjykata i ka lënë 120 deputetë të vegjetojnë për 24 ditë.
Ka shtuar se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja, me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.

“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti.

Related Articles