Premtime të njëjta, zgjedhje të reja – kush po e mban primatin në fushatë?

Premtime të njëjta, zgjedhje të reja – kush po e mban primatin në fushatë?

Teksa fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit po shkon drejt fundit, liderët e partive politike kanë intensifikuar premtimet elektorale, të cilat edhe kësaj radhe vlerësohet se mund të mbeten vetëm slogane të bukura për fushatë. Premtime të mëdha për ekonomi më të fortë, mirëqenie sociale dhe integrime euroatlantike po përsëriten pothuajse njësoj nga subjekti në subjekt, pa garanci reale për zbatim, shkruan Gazeta “Enigma”.

Këtë vit, 28 dhjetori përbën të dielën e katërt të zgjedhjeve në Kosovë. Për shkak të mungesës së konsensusit politik për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova i organizon zgjedhjet e parakohshme këtë fundvit, që sipas planifikimeve buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kapin shumën e rreth 11.5 milionë eurove.

Kush ka gjasat më të mëdha?

Teksa festat e fundvitit afrohen, kosovarët edhe njëherë i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur partinë dhe kandidatët që do të qeverisin vendin për mandatin e ardhshëm.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli fituese me mbi 390 mijë vota, apo 42.30 për qind.

E dyta doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt u rendit koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, me mbi 66 mijë vota, apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – siguroi mbi 39 mijë vota, apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i pati siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9 vende, ndërsa koalicioni AAK–Nisma 8 vende, por asnjëra prej këtyre forcave nuk arriti marrëveshje për formimin e Qeverisë.

Me këtë rezultat në mendje, LVV-ja edhe këtë herë duket favorite për të fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit. Partia synon mbi 50 për qind për të formuar Qeverinë e vetme, pasi asnjë nga subjektet opozitare nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partinë e Albin Kurtit.

Sipas profesorit universitar Mazllum Baraliu, ende askush nuk po dominon në fushatën parazgjedhore. Megjithatë, ai thekson se ka përmirësim në sjelljen e përfaqësuesve të partive politike gjatë fushatës.

“Askush realisht. Nga ajo që po shohim dhe po përcjellim, partitë politike po përdorin metodologji dhe koncepte të ndryshme në terren për të fituar mbështetje: dikush me tubime masive, dikush me vizita derë më derë. Megjithatë, ajo që duhet thënë është se partitë duhet të vazhdojnë të ruajnë qetësi dhe një fjalor më korrekt, parimor dhe politikisht etik. Ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara ka treguar pasoja serioze, duke mos arritur marrëveshje politike për formimin e Qeverisë. Prandaj, deri më tash situata është e qetë dhe në suaza të parimeve ligjore dhe etike”, tha ai për Gazetën “Enigma”.

Premtimet elektorale – të realizueshme apo vetëm slogane?

Me fillimin e fushatës, partitë politike kanë vërshuar me premtime elektorale gjithandej nëpër Kosovë. Tubimet nëpër qytete, paraqitjet televizive dhe adresimi i qytetarëve përmes rrjeteve sociale kanë bërë që akterët politikë të japin premtime shpesh “astronomike”, madje edhe duke ofruar dorëheqje si garanci nëse nuk realizohen.

Programet e partive nuk kanë ndryshuar shumë nga ato të 9 shkurtit; theksi vazhdon të jetë te ekonomia, anëtarësimi në NATO dhe BE, si dhe vazhdimi i punëve të nisura.

Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar një nga pesë zotimet kryesore, duke theksuar lehtësimin e barrës për punëtorët dhe familjet e Kosovës. Sipas planit të tij, pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen.

AAK-ja, duke u bazuar edhe në historikun e familjes Haradinaj në luftën çlirimtare, premton anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO, duke theksuar kontributin në formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ndërkohë, LDK-ja premton vende pune, arsim cilësor dhe shëndetësi dinjitoze, ndërsa një nga temat kryesore të fushatës së saj mbetet sektori energjetik.

Nisma e Fatmir Limajt është fokusuar në kalimin e pragut zgjedhor, ndërsa për LVV-në gjithçka përmblidhet në sloganin “Mos lësho pe”.

Profesori Baraliu thekson se partitë nuk po bëjnë politikë programore.

“Premtime ka shumë, por pak janë të përpunuara dhe të realizueshme. Kjo është bërë pothuajse normale, edhe pse nuk është as morale dhe as e drejtë. Edhe këtë herë shohim premtime të ngjashme nga subjektet politike, të cilat shpesh dihet se nuk mund të realizohen brenda një mandati”, tha ai.

Diaspora – forcë shtesë elektorale

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se më 27 dhjetor do të hapen qendrat e votimit në 29 përfaqësi diplomatike, për mbi 19.300 shtetas të Kosovës.

Për shkak të festave të fundvitit, ka pasur rritje të hyrjeve të diasporës në Kosovë. Brenda një jave janë regjistruar 374.864 hyrje, ndërsa gjatë fundjavës mbi 213.751 qytetarë.

Megjithatë, sipas Baraliut, interesimi i mërgatës për të votuar nuk duket aq i madh sa pritej, ndonëse ajo mund ta ndryshojë rrjedhën e rezultatit.

Ai shton se, për shkak të pakënaqësisë së lartë, dalja në zgjedhje pritet të jetë më e ulët.

“Nuk mund të thuhet me saktësi se kush do t’i afrohet më shumë krijimit të Qeverisë”, përfundoi ai./Gazeta Enigma/

Related Articles