Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së fundmi ka ftuar homologun e tij amerikan, Donald Trump të vizitojë vendin e tij përpara çdo marrëveshjeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
“Ju lutemi, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të shkatërruar ose të vdekur”, ka thënë Zelensky në një intervistë për programin 60 Minuta të CBS, transmeton Gazeta Enigma.
Kjo intervistë ishte bërë para sulmit shkatërrues me raketa ruse të së dielës në qytetin ukrainas të Sumy, i cili ka lënë të vrarë 34 njerëz, duke përfshirë dy fëmijë, dhe ka plagosur 117 të tjerë.
Trumpi e ka përshkruar sulmin si një “gjë të tmerrshme”, ndërsa kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka akuzuar Rusinë për kryerjen e një krimi lufte.
Sulmi ka ardhur teksa SHBA-ja, aleati më i fortë ushtarak i Ukrainës, po synon përfundimin e luftës e cila tani ndodhet në vitin e saj të katërt, përmes negociatave të administratës Trump.
I pyetur për sulmin, presidenti amerikan ka thënë se ishte “i tmerrshëm” dhe se atij “i ishte thënë se ata bënë një gabim”, por nuk ka dhënë detaje.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën, gjenerali në pension Keith Kellogg, ka thënë se sulmi kishte kaluar “çdo vijë të mirësjelljes”. /Gazeta Enigma