Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier.
Osmani dhe Steinmeier kanë biseduar për zhvillimet e fundit në rajon, dialogun me Serbinë, marrëdhëniet bilaterale me Gjermaninë, si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Presidenti Steinmeier ka vlerësuar procesin e reformave në Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe ka shprehur përkrahje për rrugën euro-atlantike të vendit tonë. Presidentja Osmani e ka falënderuar Presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë karshi integrimit të plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, ndërkaq ka potencuar rëndësinë e ecjes përpara me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, njofton Presidenca e Kosovës.
Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, bashkëbiseduesit u pajtuan për momentumin e veçantë që ekziston në këtë proces pas propozimit evropian, të mbështetur edhe nga SHBA-të, ndërkaq Presidentja Osmani potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.