Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), presidentja, Vjosa Osmani, ka dekretuar 20 gjyqtarë të rinj, nga të cilët dhjetë janë gra dhe dhjetë burra.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se në ceremoni presidentja Osmani theksoi rëndësinë e integritetit dhe profesionalizmit në ushtrimin e detyrës, duke nënvizuar se gjyqtarët e rinj do të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi gjyqësor që garanton drejtësi për të gjithë qytetarët.
“Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes së vendit, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale”, thotë KGJK-ja.
Gjyqtarët e rinj do të ushtrojnë funksionin e tyre në gjykatat themelore në vend.
