Kosova nuk ka aplikuar për herë të katërt, që të bëhet pjesë e policisë ndërkombëtare “INTERPOL”.
Edhe pse institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë që katër vjet në këtë drejtim, pikërisht sot kur po mbahet sesioni i 90-të i Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, presidentja Vjosa Osmani e ka përmendur nevojën për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
Ajo ka deklaruar se trafikimi i qenieve njerëzore përbën jo vetëm krim të rëndë, por edhe sfidë të vazhdueshme e shqetësuese të shoqërisë.
Osmani, po ashtu, kërkoi edhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në Këshillin e Evropës, pasi sipas saj, këto anëtarësime do të ndikonin në bashkërendimin e mirë me vendet e tjera për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe në luftimin e dukurive të tilla.
“Anëtarësimi në Interpol dhe Këshillin e Evropës do të vuloste përpjekjet tona për luftim të krimit të organizuar dhe rrjetit të trafikantëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të fuqizonte përpjekjet tona për përparim të mëtejmë, duke i dhënë përparësi edhe miratimit të masave e procedurave të veçanta për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe ofrimin e ndihmës së duhur”, është shprehur Osmani.
Më tej, Osmani tha se nuk mundet askush të jetë kundër krimit të organizuar e kundër Kosovës në Interpol.
“Pra, nëse dikush është kundër krimit të organizuar, duhet të jetë pro Kosovës në Interpol. Nëse dikush është pro të drejtave të njeriut, duhet të jetë pro Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Osmani.
E mos aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpolit, Serbia po e paraqet si fitore të saj.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha se ishte Serbia që ia pamundësojë Kosovës anëtarësimin për herë të tretë në Interpol dhe sipas tij kjo është meritë e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
“Rendi i ditës është miratuar dhe shteti i rremë i Kosovës nuk ka aplikuar për anëtarësim në Interpol, në seancën e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate policore në Nju Delhi. Dua të falënderoj delegacionin serb dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe Punëve të Jashtme të cilët punuan shumë gjatë gjithë vitit dhe investuan shumë, që shumë vende të botës të njohin gjendjen reale të Kosovës”, tha Vulin, i cili kryeson delegacionin serb në sesionin e 90-të të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Indi.
Në vitin 2018, Kosova nuk arriti të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.
Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e mbështetën 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 abstenuan. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Më 2019, Kosova nuk kishte aplikuar. Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, kishte njoftuar se kishte vendosur të kërkonte shtyrjen e votimit për anëtarësim.
Pas kësaj, në fund të vitit 2010, Kosova me Marrëveshjen e Uashingtonit kishte pranuar që të nënshkruante një moratorium njëvjeçar për të mos aplikuar në organizata ndërkombëtare. Edhe pas kalimit të moratoriumit, Kosova nuk ka bërë asnjë veprim për t’u anëtarësuar.