Presidentja Osmani kërkoi nga ministri grek mbështetjen e Greqisë për anëtarësim në KiE dhe NATO

Presidentja Osmani kërkoi nga ministri grek mbështetjen e Greqisë për anëtarësim në KiE dhe NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias.

Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin, thuhet në një komunikatë për media.

Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.

Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë, thuhet tutje në komunikatë.

Në takim me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.

Ndër të tjera, në takim me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Related Articles