Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar rolin e Bashkimit Evropian karshi dialogut Kosovë Serbi.
Në një deklaratë për TV Klan ajo ka kërkuar që Brukseli të respektojë parimin e barazisë së palëve.
“Është përshtypja ime si presidente e Republikës që BE akoma nuk ka folur me gjuhë të qartë sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Serbia në praktikë vazhdon të bëjë të kundërtën e asaj që e ka nënshkruar, por BE-ja akoma nuk ka bërë thirrje publike në raport me Serbinë, ku ata janë prezent në dialog, por e shfrytëzojnë prezencën si obstruksion, pra e bllokojnë çdo marrëveshje”, tha ajo.
Osmani ka përmendur edhe kritikat e vazhdueshme të BE-së karshi Kosovës.
“Është vetëm një marrëveshje që nuk është zbatuar sepse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim. Bashkimi Evropian ka qenë shumë i zëshëm në këtë drejtim”, tha ajo.
Presidentja e sheh të rëndësishëm rolin e ShBA-së në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë Serbi. I gjithë procesi i dialogut sipas saj do të jetë i fokusuar në njohjen reciproke.
Takimi i fundit në kuadër të dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ka ndodhur në Korrik të vitit të kaluar. / Gazeta Enigma .