Prishtina apo Ballkani, ja cilën skuadër e favorizojnë statistikat

Prishtina apo Ballkani, ja cilën skuadër e favorizojnë statistikat

Më 5 mars Prishtina dhe Ballkani zhvilluan njërën prej ndeshjeve më interesante në këtë sezon në futbollin kosovar duke barazuar me rezultat 2-2, shkruan Gazeta Enigma.

Këto dy skuadra do të takohen përsëri më 15 mars, në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.

Të dy skuadrat në këtë ndeshje vijnë pas humbjeve dëshpëruese, Prishtina u mposht si vendas nga Malisheva, kurse Ballkani pësoi humbje në Podujevë nga Llapi.

Prishtina në këtë ndeshje do të jetë pa trajner, pasi kryeqytetasit e shkarkuan të hënën më 13 mars, trajnerin e mirënjohur Ismet Munishin. Skuadrën do ta drejtoj Debatik Curri deri në emërimin  e trajnerit të ri.

photo by: @Shpend Ahmeti

Ballkani duket se është rrugës për hyrje në krizë të rezultateve, pasi nga pesë ndeshjet e fundit ka vetëm një fitore, tri barazime dhe një humbje.

Rezultate më të mira nuk ka as Prishtina, duke i shënuar vetëm një fitore, dy humbje dhe dy barazime.

Prishtina tashmë është jashtë garës për titullin kampion, pasi pas 25 xhirove pozicionohet në vendin e katërt me 32 pikë, vend të cilin nuk e ka të sigurt pasi Dukagjini dhe Llapi kanë pikë të njëjta në pozitën e pestë dhe gjashtë.

Kupa e Kosovës mbetet opsion i vetëm për Prishtinën për daljen në garat evropianë në bazë të rezultateve të tanishme.

Kurse, gjendje krejtësisht e kundërt është për Ballkanin, pasi është duke luftuar për titullin kampion duke u pozicionuar në vendin e dytë me 50 pikë, një më pak se Drita që është në vendin e parë.

Në pesë ndeshjet e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve, Ballkani ka rezultat më të mirë duke I shënuar dy fitore, kurse tri takimet tjera kanë përfunduar me rezultat të barabartë.

Kujtojmë që Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës shtatë herë, për herë të fundit në edicionin 2019/2020

Çerekfinalja Prishtina – Ballkani luhet të mërkurën nga ora 13:00 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles