Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ku një i dyshuar është arratisur nga objekti i Pallatit të Drejtësisë, pak minuta pasi iu caktua paraburgimi, ai arriti të arratiset.
Zëdhënësja e Gjykatës ka thënë për Nacionalen se ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë rast.
I dyshuari me inicialet L.H., iku nga duart e policisë, pasi pranoi aktvendimin për caktim të paraburgimit nga Gjykata Themelore.
Nga kjo Gjykatë thanë se ka qenë kompetencë e Policisë së Kosovës për ta siguruar rastin.
“Arratisja e të dyshuarit në rastin konkret, nuk mbetet në përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura procedurale ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore të KPPRK-së., andaj për më shumë informata lidhur me këtë çështje, ju mund ti drejtoheni Policisë së Kosovës”.
Të dyshuarit i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Policisë së Kosovës lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjeve.