Gjatë ditës është raportuar se pritet shkarkimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Siç raporton Insajderi, tani është hartuar deri në detaje plani për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi dhe zgjedhjen e një kryeprokurorit të ri.
Burimet e kësaj Gazete kanë zbuluar se tashmë shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial janë rreshtuar në krahë të Qeverisë Kurti, përkatësisht të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, për të pasur vota të mjaftueshme për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi.
Këto kombinime pritet që në ditët ose javët në vazhdim të iniciohet shkarkimi i kryeprokurorit të Shtetit, siç ka ndodhur me shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe siç po pritet shkarkimi i avokatit të Popullit, Naim Qelaj, i cili pritej që të dërgonte rastin e Dakës në Gjykatën Kushtetuese.
Këto burime i kanë treguar Gazetës se pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit Prokurorial kanë pasur takime të fshehta me drejtues të qeverisë të Vetëvendosjes, për ta realizuar shkarkimin e kryeprokurorit.
Për të gjitha këto zhvillime tashmë janë të njoftuar edhe shtetet anëtare të QUINT-it në Kosovë.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti, kohë më parë pati deklaruar se në momentin kur të vijë në pushtet, do të shkojë Aleksandër Lumezi, ndërsa në vend të tij do të vijë Elez Blakaj.
“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi”, kishte thënë Kurti.
Sot Insajderi ka raportuar se Qeveria Kurti pritet ta iniciojë procesin e shkarkimit edhe ndaj avokatit të Popullit, Naim Qelaj.
“Arsye pse pritet ta bëjnë një gjë të tillë është mundësia që ai ta dërgojë rastin e Valdete Dakes në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit u shkarkua nga presidentja, Vjosa Osmani”, thuhet në artikullin e Insajderit./Gazeta Enigma/