Tri shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian, Franca, Gjermania dhe Italia, dje në vizitën e tyre që patën në Kiev i dhanë një lajm të mirë ukrainasve se këto shtete e mbështesin dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës.
Në këtë lajm po sheh pozitivitet edhe për Kosovën ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi.
Ai tha se kjo mund të ndihmojë që Brukseli t’ia liberalizojë vizat kosovarëve dhe për këtë dha edhe një datë, nga e cila ai mendon se qytetarët mund të lëvizin lirshëm.
“Kjo do t’i ndihmojë Kosovës të marrë liberalizimin e vizave. Njerëzit e Brukselit nuk duan të ngjallin shpresa në Kosovë – pas kaq shumë vitesh zhgënjimi – por pritshmëria është që pasaporta kosovare mund të bëhet e vlefshme për të hyrë në të gjithë BE-në pa viza që nga 1 janari 2023”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka folur për premtimet e pambajtura ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë vizitës së djeshme në Ukrainë në konferencën për media me presidentin Volodymyr Zelensky, presidentin e Francës Emmanuel Macron, kryeministrin e Italisë Mario Draghi dhe presidentin e Rumanisë Klaus Iohannis.
Premtimet ndaj Ballkanit përfshijnë edhe çështjen e vizave për Kosovën, për çka tashmë pritet të ketë diskutime konkrete në Bruksel, por ende s’dihet a do të mund të arrihet pajtimi.
Nga ana tjetër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media që e pati në Prishtinë me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, tha se janë në kontakt me të gjitha shtetet anëtare për këtë çështje dhe se ende nuk kanë marrë përgjigje përfundimtare nga disa shtete të caktuara. Për 23 qershorin si datë kur mund të merret ky vendim, Osmani tha se nëse ndodh ose jo varet nga vullneti i vendeve.