“Profesori” dhe ish-trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli dënohet për plagjiaturë

“Profesori” dhe ish-trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli dënohet për plagjiaturë

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka konstatuar se dekani dhe katër profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit kanë bërë plagjiaturë, raporton Koha.

Për cenim të të drejtave autoriale, dekani Musa Selimi, profesorët Bylbyl Sokoli, Ajvaz Berisha, Hazir Salihu dhe Afrim Koca janë dënuar nga ky Këshill me mosmentorim të diplomave për një periudhë prej dy deri në tri vjet.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se për dënimet ndaj profesorëve është marrë parasysh, si rrethanë lehtësuese, distancimi nga punimet shkencore, te të cilat është evidentuar plagjiatura.

“Deklaratat e tyre konsistojnë në pretendimin se materialet e referuara janë edhe si pasojë e punës specifike shkencore në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit dhe se këto specifika do të duhej që t’i ketë parasysh edhe Këshilli i Etikës. Të denoncuarit kanë shprehur keqardhje të madhe për situatën e krijuar dhe se për këtë kanë marrë të gjitha masat, që shkrimet e referuara janë larguar me vetë dëshirë nga korpusi i tyre akademik, dhe si të tilla nuk janë përdorur për avancim të mëtejmë akademik”, thuhet nga Këshilli i Etikës.

Këtë vit, Këshilli i Etikës ka dënuar për plagjiaturë edhe dy profesorë të UP-së. Bujar Dugolli është dënuar me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe doktoratë në dy vitet e ardhshme, ndërsa Ardian Kastratit i është ndaluar mentorimi në të gjitha nivelet e studimit, për tri vjet.

Related Articles