Të premten pritet që Qeveria e Kosovës të votojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, zbatimi i të cilit mund të nisë pasi të miratohet.
Prej formimit të qeverisë, ekzekutivi është kritikuar në vazhdimësi nga partitë opozitare për vonesë në prezantimin e programit qeverisës, derisa pjesëtarë nga shoqëria civile vlerësojnë se qeveria ka pasur mjaftueshëm kohë për hartimin e tij duke e theksuar të domosdoshme që i njëjti të reflektojë mbi nevojat e qytetarëve.
Në javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte mbledhur ministrat e kabinetit të tij qeveritar për të hartuar programin qeverisës dhe planin e veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes. Por, i njëjti ende nuk është prezantuar dhe votuar në qeveri.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot se programi do të votohet këtë të premte.
“Sa i përket programit qeverisës e përmenda të premten në fund të kësaj jave do të votohet në mbledhje të qeverisë dhe do të nis zbatimi i tij, i njëjti është në përputhje me zotimet që kemi dhënë edhe para zgjedhjeve. Arsyeja pse është, mund të konsiderohet që është vonuar, por megjithatë besomëni që nuk ka qenë e lehtë për faktin se Zyra për Planifikime Strategjike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit operon me disa programe që për neve si ministra nuk ka qenë bash e lehtë ato që i kemi pasur si zotime zgjedhore t’i paraqesim aty. Operativa strategjike, operacionale, aktivitete me muaj e vite se kur do të përmbyllet secili, për shkak se pastaj ne mbikëqyremi”, ka thënë Haxhiu .
Mosprezantimi i programit qeverisës, kritika ka pasur në vazhdimësi nga partitë opozitare.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, tha se Qeveria Kurti tani ka qëndrime që dallojnë nga premtimet të cilat i ka bërë.
“Qeveria Kurti 2 është në një mjegull totale pasi që me qëndrime të tjera ka bërë fushate dhe opozitarizëm që nga viti 2010, dhe tani kur e ka kryeministrin dhe numrat në Kuvend ka parime dhe qëndrime tjera, të cilat nuk përkojnë me premtimet. Tani jo vetëm ne si opozite, por edhe votuesit e tyre janë te zhgënjyer me paqartësinë e kësaj qeverie lidhur me çështjet shumë te rëndësishme të vendit tonë siç është pandemia, ekonomia, dialogu dhe sundimi i ligjit”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Rreze Hoxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha se është me rënësi që programi qeverisës të ofrojë hapa konkret mbi çështjet që lidhen me menaxhimin e pandemisë, politikën e jashtme dhe reformat e brendshme në drejtësi, administratë publike e arsim.
“Ne konsiderojmë që qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme, presim që të njëjtit ta publikojmë planin sa më shpejtë, por njëkohësisht bashkë me publikimin e planit presim që edhe përmbajtja e atij plani t’i reflektojë këto nevoja në të cilat do të duhej të zhvillohej vendi. Ne si GLPS konsiderojmë se që vëmendja më e madhe do të duhej të ishte në përmbajtjen e tij sesa në kohën e publikimit, kjo ngase i njëjti duhet të jetë plan konkret, i qartë dhe i matshëm, ashtu që të reflektojë mbi nevojat e vendit, zhvillimin ekonomik si dhe reformat e shumta nëpër të cilat vendi duhet të kalojë”, ka thënë Hoxha.
Më 22 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës, me 67 vota për, zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.