Progres apo regres? Ku qëndron dialogu pas takimit Kurti – Scholz – Vuçiq?

Progres apo regres? Ku qëndron dialogu pas takimit Kurti – Scholz – Vuçiq?


Kokë më kokë, por me ndërmjetësimin e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, të mërkurën në Berlin të Gjermanisë u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta “Enigma”.

Shumë u tha pas takimit, e pak u sqarua.

Kryeministri Kurti pas takimit me Vuçiqin theksoi se ai ishte përgatitje për takimin e javës së ardhshme, më 13 maj, në nivel kryenegociatorësh, teksa shtoi se nuk pati ndonjë përparim konkret.

“Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha”, ka thënë Kurti.

I pyetur rreth mundësisë së një takimi tjetër me Vuçiqin në Bruksel, Kurti ka thënë se kjo varet nga se si do të shkojnë diskutimet në takimin e kryenegociatorëve, Besnik Bislimit e Petkovicit.

“Mund të ketë takim, varësisht se si shkojnë negociatat më 13 maj”, theksoi Kurti.

Kurti ka thënë se qëndrimet janë të vjetra dhe si rezultat s’mund të ketë marrëveshje të re me qëndrime te vjetra.

Mesazhet e Scholz dhe kërkesa për zhbllokim të dialogut

Kancelari gjerman, Scholz deklaroi se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin gradualisht konfliktin mes tyre. Në këtë mënyrë ato do të jepnin një kontribut për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Ballkan por në të gjithë Evropën.

Scholz tha se i kërkuar Kurtit që të mbajë qëndrim konstruktiv në procesin e dialogut, sepse prej një marrëveshjeje mes të dy vendeve do të përfitonte i gjithë Ballkani Perëndimor, sepse parakushti më i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe perspektiva për të rinjtë është stabiliteti dhe siguria.

“Takim i vështirë” – Reagimi i Vuçiq pas takimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se darka joformale e mbrëmshme me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë e vështirë dhe se sipas tij përfaqësuesit gjermanë këmbëngulën se ajo çka është firmosur në Marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohet.

Kreu i shtetit serb nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me takimin e së mërkurës në Berlin por ka theksuar se biseda ka qenë “shumë, shumë e vështirë”.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, tha Vuçiq.

Vuçiq theksoi se problemi për Beogradin është se disa refuzojnë të flasin Asociacionin, por sipas tij, është e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit gjermanë kanë thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet.

“Detyra ime është të luftoj për Serbinë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, tha ai.

“S’ka lëvizje drejt njohjes” – thonë analistët

Asnjë përparim drejt njohjes reciproke nuk është bërë nga takimet e fundit në Berlin, thonë njohësit e çështjeve politike.
Violeta Haxholli nga KDI vlerëson se ndonëse takimi në Berlin tregoi gatishmërinë e shtetit gjerman për ta quar para dialogun, por zhvillime konkrete sipas saj nuk ka.

“Raportet Kosovë- Serbi dhe procesi i dialogut ka shumë kohë që janë zhvilluar me hapa të ngadaltë. Ky takim dhe ftesa e kancelarit gjerman Olaf Scholz, tregon angazhimin e Gjermanisë dhe një përpjekje për t’i dhënë një dinamikë të re këtij procesi“, ka thënë Haxholli.

“Tani kur ka përfunduar procesi zgjedhor në Serbi dhe Vuçiqit i është konfirmuar legjitimiteti dhe tani kemi dy shtete që janë legjitimuar nga procesi zgjedhor dhe janë krijuar kushtet që procesi i dialogut të vazhdojë në të gjitha konditat e përcaktuara demokratike. Ndonëse qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë janë diametralisht të kundërta, sidomos të përfaqësuesve të Serbisë që nuk janë të gatshëm të lëvizin drejtë njohjes së Kosovës”, theksoi tutje ajo.

Tutje duke komentuar deklarimet e Scholz, Haxholli tha se ai përcolli mesazhin e qartë se qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja reciproke. “Tani çdo herë e më shumë po përmendet njohja si qëllim final i marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Haxholli.

Ajo tha se shumë shtete të BE-së, mendojnë se njohja është zgjedhja e çështjes së problemeve të Kosovës dhe Serbisë. “Jemi pak pesimist lidhur me mundësinë që Serbia të lëvizë përpara drejtë njohjes së Kosovës, prandaj edhe shihet e vështirë një marrëveshje e tillë ku epilogu do të ishte njohja e Serbisë për Kosovën”, shprehet Haxholli.

Takimi i Kurtit dhe Vuçiq në Berlin të Gjermanisë erdhi pas një bllokade disa mujore të dialogut. / Gazeta Enigma.

Related Articles